Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë të organizuar nga Këshilli Atlantik, ka deklaruar se do të dëshironte të shihte Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën në nismën e Ballkanit të Hapur, të cilën ai e vlerëson për faktin se, siç thotë ai, “ata duan shumë për të bërë diçka”.
I pyetur se pse SHBA-të e mbështesin Ballkanin e Hapur, Hill përmend disa arsye për mbështetjen e nismës dhe i jep meritat kësaj iniciative për marrëdhëniet aktuale ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.
“Dua të them se kushdo që dëshiron të anëtarësohet, dhe meqë ra fjala, kjo përfshin Kosovën, është e mirëpritur. Së dyti, nisma i mbështet standardet e BE-së në aspektin e shtetit të së drejtës, në aspektin e rregulloreve. Duket më shumë e përqendruar tek ne që të bëjmë diçka sesa të studiojmë problemin për 10 vitet e ardhshme – ata vërtet duan të bëjnë diçka. Dhe për këtë unë u jap atyre një meritë të madhe”, tha Hill.“Do të thosha se marrëdhëniet serbe me Shqipërinë janë aq të mira sa ndoshta nuk kanë qenë kurrë në histori”, vijon ambasadori amerikan në Beograd.
I pyetur nëse kërkesa e të dërguarit amerikan Gabriel Escobar që Serbia të heqë dorë nga narrativa se Kosova është Serbi, por Kosova dhe Serbia duhet të jenë Evropë, Hill thotë se “çështja e Kosovës është jashtëzakonisht emocionale për shumë serbë, megjithatë është bërë përparim”.
Duke folur për qëndrimin e presidentit Aleksandër Vuçiç për sanksionet ndaj Rusisë, ambasadori amerikan pajtohet se këto çështje janë sfidë, por siç thekson ai, “jo gjithçka është e errët në këtë drejtim”.
“Historia është një barrë e fortë për të gjitha këto vende, dhe në rastin e Serbisë, vetëm fjala sanksione ka një kuptim mjaft të rëndë për shumë serbë, të cilët mbijetuan kohë shumë të vështira në vitet 1990 nën sanksione. Por unë mendoj se nëse shikoni shtrirjen e gjerë të kësaj çështjeje, nëse shikoni harkun e gjerë se ku po shkon Serbia – ajo po shkon drejt Perëndimit”.