Problemet e vazhdueshme teknike në Pallatin që gjendet në lagjen Hajvalia në Prishtinë, që janë raportuar edhe në medie, siç kanë qenë prishja e liftit, mungesa e ajrosjes e së fundmi edhe vërshimi nga uji i disa zyrave të këtij objekti, ka shtyrë Prokurorinë që të nis[ të hetojë zyrtarët që kanë qenë pjesë e Komisionit për pranimin teknik të objektit.
Komisioni në fjalë ka qenë i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Administratës Publike dhe Komunës së Prishtinës.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ymer Beka. “Ne jemi në proces të hetimeve, e kemi një rast të hapur, jemi duke hetuar ata që kanë bërë pranimin e objektit, pa i plotësuar kushtet pa e testuar hiç, janë aty të përfshirë Ministria e Administratës Publike dhe Komuna e Prishtinës”, ka theksuar Beka, transmeton gazeta Express.
Sipas tij pjesëtarët e Komisionit “i kanë mbyllur sytë”, gjatë pranimit të objektit, prandaj ka thënë se ndodhin defekte të tilla. “Për momentin jemi duke marrë deklarata prej personave përgjegjës, në Ministri dhe në Komunë”, ka thënë Beka.