Sabrije Fazliu, në janarin e vitit 2016, kishte nevojë për intervenim kirurgjik në repartin e Gjinekologjisë të QKUK-së.
Për shkak të anemisë, asaj iu desh që të merrte dy doza gjaku dhe një plazmë para operacionit, me ç’rast derisa ishte duke e marrë dozën e parë, asaj i ishte keqësuar gjendja, raporton KTV.
Në emergjencë ajo nuk arrti të mbijetojë, ndërkaq familja dyshon se vdekja e saj erdhi si pasojë e ndërrimit të dozës së gjakut dhe neglizhencës së stafit mjekësor.
Pavarësisht videoinçizimeve që posedojnë familjarët, ku vërehej mosintervenimi i mjekëve, ankesave e kallëzimit penal ndaj mjekëve, as gati pas dy vjetësh ndaj askujt nuk është marrë ndonjë masë.
Sipas avokatit të familjes, edhe Prokuroria Themelore po e zvarrit lëndën me qëllim të vetëm, fshehjen e së vërtetës.
Hoxha thotë se edhe në incizime shihet mospranimi i gjakut nga pacientja, derisa askush nuk merret me të.
Tash së fundi edhe Avokati i Popullit po kërkon hetime të reja nga Prokuroria si dhe Ministria e Shëndetësisë për vlerësimin e gjendjes sa ishte e shtrirë në spital tashmë e ndjera.
“Në pajtim me kompetencat dhe autorizimet të cilat burojnë nga ligji si dhe në bashkëpunim me të gjitha agjencitë relevante, të marrë të gjitha masat për zhvillimin e hetimeve të shpejta dhe efektive, në mënyrë që të zbardhet vdekja e bashkëshortes së ankuesit”.
Gjithashtu në rekomandimet e Avokatit të Popullit thuhet se Prokuroria Themelore duhet të vlerësojë përgjegjësinë objektive dhe subjektive që do të mund të lehtësonte çështjen e kompensimit për palën.
Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë, ky institucion ka kërkuar që të themelojë një komision të posaçëm për vlerësimin e gjendjes, i cili pas vlerësimit të situatës në terren do të hartonte protokoll pune me rregulla strikte për rastet e dhënies së transfuzionit të gjakut.



















