Hetimet fillestare nxorën fajtore policinë, çka dihet deri më tani për aksidentin e rëndë me tre të vd*kur

E publikuar: 28/01/2025 08:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në rrugën rajonale Pejë – Mitrovicë mbrëmjen e së dielës, ndodhi një aksident trafiku me fatalitet. Tre persona vdiqën e disa të tjerë u lënduan rëndë.

Inspektorati i Policisë së Kosovës ditën e djeshme deklaroi se hetimet fillestare të tyre nxjerrin fajtore veturën e Policisë së Kosovës të përfshirë në këtë aksident.

Në njoftim u tha se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile”, thuhet mes tjerash në komunikatën e IPK-së.

IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent.

Polici që dyshohet se shkaktoi aksidentin me tre të vdekur është ndaluar për 48 orë.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni për Reporteri.net. ka bërë të ditur se drejtuesi i veturës zyrtare është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik- me fatalitet”.

“Në aksident kanë qenë të përfshira dy (2) vetura, një (1) veturë zyrtare e policisë dhe një (1) veturë civile. Si pasojë e aksidentit, tre (3) persona që kanë qenë në veturë civile kanë ndërruar jetë, dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupat e tyre janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Për këtë rast, është ndaluar një (1) person me vendim të prokurorit për dyzetetetë (48) orë, për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik – me fatalitet”, tha Preteni.

Siç kishte njoftuar policia në aksident u përfshinë dy vetura, njëra nga to veturë e Policisë. Të lënduar mbetën edhe pesë persona, katër prej të cilëve zyrtarë policorë.