Nisja e procesit të gjykimit ndaj krerëve të UÇK’së në Hagë, që përvec Kosovës u bë edhe lajm ndërkombëtar nuk nxiti reagimin e Kryeministrit Kurti. Edhe vartësit e tij në Qeveri përgjithësisht kanë heshtur, ndërkaq, disa prej atyre të partisë, janë marrë me Thaçin.
Më 3 prill do të niste procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Javë më parë ishte paralajmëruar një marsh në sheshet e Prishtinës më 2 prill, për të cilin, Kryeministri Albin Kurti tha në një intervistë se nuk kishte dëgjuar. Një natë para marshit, Lëvizja Vetëvendosje doli në përkrahje të marshit kundër gjykimit të luftës së UÇK-së. Megjithatë, krerët shtetërorë nuk morën pjesë në marsh.
Gjykimi në Hagë nisi këtë të hënë dhe Kurti sot është pyetur për një koment rreth gjykimit që ka nisur, por ai refuzojë të përgjigjej.
“Më falni se duhet me shku direkt në Kuvend”, tha Kurti. “S’ke folur asnjëherë”, i tha gazetari pas pyetjes, por Kryeministri tha se është me nxitim.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është prej zyrtarëve të vetëm qeveritarë që ka bërë koment për gjyqin në Hagë. Fillimisht, Aliu shkroi për bashkëpartiakun e tij, Rexhep Selimin.
“Deri në fitoren tënde të pashmangshme, Gjeneral! Lavdi luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të bindur se drejtësia do të triumfojë përherë”, shkroi ministri.
Pas disa minutash, Aliu bëri një postim tjetër ku përmendi të katër të akuzuarit dhe tha se ata janë heronj.
“Sot luftëtarët tanë të lirisë, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, gjenerata që e çliroi më në fund Kosovën, po përballet me padrejtësinë e radhës. Por e bardha nuk nxihet dot nga shpifjet. Jam i bindur se ata do të triumfojnë. UÇK-ja është e shenjtë, luftëtarët dhe prijësit e saj janë heronj!”, thuhej në një nga postimet e 3 prillit të Aliut.
Krejt indiferentë nuk ka qëndruar disa prej zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që kanë bërë komente pas adresimit të ish-drejtorit politik të UÇK-së dhe ish-Presidentit Hashim Thaçi.
Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, disa orë pas fillimit të gjykimit të hënën, dhe një ditë pasi u mbajtë marshi në mbrojtje të UÇK-së shkroi:
“Ata që ishin mbështetës dhe votues të Gjykatës Speciale, të cilët madje edhe i shanin e i rrihnin kundërshtarët e saj, me sa duket kanë patur shpresë që kjo punë do të përfundonte ndryshe. Dikush u paska premtuar atëherë ‘votojeni se s’ju gjen gjë’, por sot po del e kundërta. Vetëm kjo e shpjegon vonesën disavjeçare në protestë”.
Të nesërmen kur u deklarua mbrojtja e të akuzuarve, si dhe folën Thaçi e Rexhep Selimi, Zaimi e komentoi shkurtimisht këtë të fundit.
“Nga Rexhep Selimi kurrë nuk do të dëgjoni fjalë bishtnimi. Por vetëm mbrojtje dinjitoze të idealit dhe të luftës”, shkroi Zaimi në Facebook.
Pas fjalës së Thaçit dhe të mbrojtjes së tij, e cila iu kundërpërgjigj Prokurorisë lidhur me organizimin e UÇK-së, anëtari i LV-së në Tiranë, Enis Sulstrarova, ka shkruar se “Thaçi ka qenë UÇK vetëm gjatë fushatave zgjedhore!”. Duket se Sulstarova e ka fshirë këtë postim më pas.
Në të njëjtën intervistë ku u pyet për marshin në mbrojtje të UÇK-së, Kryeministri Kurti ishte pyetur edhe pse nuk i kishte vizituar ish-krerët e UÇK-së për më shumë se dy vjet e gjysmë, prej kur janë arrestuar.
Pasi fillimisht tha se nuk beson se i ndihmon diçka të akuzuarve, po t’i vizitojë, tha më vonë se nuk e njeh Gjykatën Speciale dhe po të shkonte do t’i binte të nënshkruante dokumente.
Vitin e kaluar në muajin muaj, Kurti kishte folur nëpërmjet videolidhjes me avokatët e krerëve të UÇK’së.
“Të gjitha ekipet u shprehën tejet mirënjohëse për mundësinë e diskutimit direkt me Kryeministrin Kurti, dhe shprehën falënderim me faktin që Qeveria e Kosovës po tregon interesim dhe angazhim në lidhje me procesin para Dhomave të Specializuara” thuhej në njoftimin e Qeverisë. /Express/