“Helena” sjell përmbytje të mëdha, uragani shkatërrues u merr jetën mbi 100 personave në SHBA

E publikuar: 30/09/2024 22:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kjo është ajo që “Helena” la pas. Përmbytje të mëdha dhe shkatërrim në disa shtete të Amerikës. Më shumë se 105 persona kanë humbur jetën që prej momentin kur uragani preku tokën në Florida javën e kaluar. Bilanci pritet që të përkeqësohet me zyrtarët e kërkim-shpëtimit që po mbërrijnë në shumë zona të prekura.

Të paktën 30 njerëz kanë humbur jetën vetëm në një konte të Karolinës së Veriut, ndërsa ka dhe shumë të tjerë që janë shpallur të zhdukur, pasi uragani “Helena” shkaktoi përmbytje katastrofike.

Një imazh i qartë i fuqisë së stuhisë doli pasi kaloi nga Florida për në Xhorxha, me kontenë Bunkomb më të prekurën.

“Ne kemi një shkatërrim biblik”, thonë zyrtarët e ekipeve të emergjencës në këtë zonë, duke shtuar se “kjo ishte fatkeqësia më e rëndë natyrore” që kanë parë ndonjëherë.

“Helena” nisi si një uragan, më i fuqishmi i regjistruar harkun “Big Bend” të Floridas dhe lëvizi për në Xhorxha, të dy Karolinat dhe Tenesi.

Shumica e viktimave raportohen në Karolinën e Jugut dhe të Veriut, ku “Helena” kaloi si një stuhi tropikale. Ka mungesë të theksuar të rrjetit telefonik, gjë e cila vështirëson dhe lokalizimin e mbi 1 mijë personave të shpallur të zhdukur.

Kryqi i Kuq Amerikan ka hapur më shumë se 140 strehimore për njerëzit në nevojë në shtetet juglindore. Më shumë se 2 mijë persona po i përdorin ato, sipas të dhënave zyrtare.