Mbi një milionë euro mund t’i kushtojë Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave një vendim i marrë nga kryesuesi ligjor për licencim.
Ky i fundit, pak ditë pas nënshkrimit të vendimit, ia kishte hequr licencën kompanisë “Railtrans”, raporton KTV.
Drejtues të kësaj kompanie kanë thënë se një veprim i tillë e ka dëmtuar tej mase një prej aktiviteteve të kësaj kompanie që merret me transport ndërkombëtar të mallrave.
Drejtori i kësaj kompanie i ka thënë KTV-së se e ka mirëpritur një vendim të marrë nga Prokuroria Speciale.
Besir Çmega ka deklaruar se gjatë tërë kohës kanë kërkuar të takohen me drejtues të këtij autoriteti, por se asnjëherë ata nuk kanë pranuar.
Kohavisioni ka kërkuar nga Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave sqarime për masat që do t’i ndërmarrin lidhur me pretendimet e Prokurorisë, por këta të fundit nuk kanë dhënë detaje me arsyetimin se ende nuk e kanë marrë njoftimin zyrtar nga prokuroria.
Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Avdyl Kadër Muçaj, drejtor i Departamentit Ligjor dhe Licencimit të Autoritetit Regullativ të Hekurudhave, për veprën penale Keqpërdorim i pozitës zyrtare.
I njëjti, sipas prokurorisë, me qëllim përfitimi, i kishte marrë licencën “Railtransit”, duke i shkaktuar miliona euro humbje, për t’i siguruar monopol kompanisë Trainkos.
Mos hapja e tregut për menaxhimin e transportit hekurudhor nga autoritetet shtetërore kishte shqetësuar në atë kohë edhe Zyrën e BE-së në Prishtinë.
Kjo zyrë kishte vlerësuar se revidimi i licencës për kompaninë private ka qenë i jashtëligjshëm dhe ka pamundësuar konkurrencën në treg.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.