Hekuran Murati për herë të dytë nuk merr votat për kryetar Kuvendi

E publikuar: 24/08/2025 11:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Koalicioni në mes Lëvizjes Vetëvendosje, Alternativës dhe Listës Guxo, as sot nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Të pranishëm ishin 105 deputetë. Ndërkohë, Donika Gërvalla në emër të koalicionit propozoi sërish Hekuran Muratin por nuk ka arritur të marrë 61 vota, sa janë edhe të nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit.

Kjo është seanca e tretë pas vendimit të Kushtetueses, sipas së cilës kandidati për kryetar të Kuvendit duhet të nominohet vetëm tri herë dhe procesi i votimit të bëhet në mënyrë të hapur.

Tre kandidatët e propozuar më herët nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla dhe Hekuran Murati, dështuan të marrin 61 votat e nevojshme, pasi nuk morën më shumë se 57 vota, raporton KosovaPress.

Kujtojmë zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 9 shkurt. Deri më tash janë mbajtur 55 seanca për konstituimin e Kuvendit të ri dhe kjo e sotmja është numër pesëdhjetegjashtë.

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e legjislativit të nëntë brenda 30 ditësh, i cili afat skadon më 18 shtator