Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth do të udhëtojë për në Alaska veçmas nga presidenti Donald Trump sot, tha një zyrtar i mbrojtjes për CNN.
Hegseth nuk ishte midis zyrtarëve të përfshirë në një listë të atyre që udhëtuan me presidentin amerikan për samitin e tij me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar luftën në Ukrainë.
Shefi i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjenerali Dan Caine, po udhëton gjithashtu për në Alaska të premten, sipas agjendës së tij publike.
Ndërkohë, komandanti më i lartë i SHBA-së në Evropë, gjenerali Alexus Grynkewich është sot në Alaska për t’u dhënë këshilla ushtarake presidentit Trump dhe sekretarit të Mbrojtjes Hegseth, ndërsa presidenti “përpiqet ta çojë këtë luftë në një përfundim paqësor”, tha një zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s për CNN.
Udhëheqësi i Rusisë Vladimir Putin po bën një ndalesë në lindjen e largët të Rusisë përpara se të udhëtojë për në Alaska. Putin është aktualisht në rajonin e largët lindor të Magadan, ku kryesoi një takim të zyrtarëve të qeverisjes vendore, sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas TASS, raporton CNN.
Duhen rreth tetë orë për të fluturuar nga Moska në Magadan, pastaj katër orë të tjera nga Magadan në Anchorage Alaska. Për shkak të zonave kohore që Putin po përshkon, presidenti rus në fakt ka dy të premte: një në Magadan, dhe e dyta në Alaska.
Ndërkohë Trump ndodhet rrugës për në Alaska dhe fluturimi do të zgjasë rreth shtatë orë, transmeton KosovaPress.
















