Haziri: Situata me anëtarësimin në KiE e ka kthyer Kosovën në vitin 2017

E publikuar: 10/05/2024 21:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Lutfi Haziri

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se ballafaqimi i kryeministrit të vendit Albin Kurti, me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës është një dështim për Kosovën, por jo fitore për Serbinë.

Haziri e krahasoi kushtëzimin e ndërkombëtarëve në lidhje me anëtarësimin në KiE me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se sot, kjo situatë e ka kthyer vendin në vitin 2017.

“Kërkesë shtesë ka qenë prej BE-së ligji për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, por Kurti e ka shfrytëzuar për konsum të brendshëm dhe ia ka vonuar Kosovën liberalizimin 6 vjet. Kjo ka ardhur si kërkesë e NATO-s, për nevojën e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, s’ka pasur lidhje me Kosovën.”

“Nuk kemi mundur ta menaxhojmë sepse VV-ja dhe partnerët atë kohë të opozitës e kanë shfrytëzuar për konsum të brendshëm. Sot, situata me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, e ka kthyer Kosovën në vitin 2017.” – tha Haziri në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se Qeveria Kurti në tri vjet qeverisje ka pasur mungesë koordinimi me partnerët ndërkombëtarë në çështjen e interesit të përbashkët.

“S’ka pasur veprime të njëanshme, por situatat e reja që janë krijuar në Kosovë, janë krijuar jashtë koordinimit me partnerët. Koordinimin e vetëm e kemi pasur më 24 shtator në rastin e Banjskës kur u sulmuam nga grupi terrorist dhe reagimi ka qenë i koordinuar”, tha ai.