Lidhur me daljen e ulët në votimet e sotme në veri, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se “mosdalja apo bojkoti duhet të jetë shqetësim shumë i madh për Qeverinë dhe Republikën”
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar lidhur me daljen e ulët të qytetarëve në votimet e sotme në veri të vendit.
Haziri ka thënë se mosdalja apo bojkoti duhet të jetë shqetësim shumë i madh për Qeverinë dhe Republikën.
“Ky është “shkarkim plebishitar” i kryetarëve legalë, por pa legjitimitet”, ka shkruar Haziri.
Nënkryetari i partisë opozitare është shprehur se lojaliteti ndaj ftesës së presidentit serb për bojkot nuk u përfill nga 85 + qytetarë.
“Ku mbeti de-eskalimi, përfundimi i bojkotit apo edhe dialogu me serbët e Kosovës në vend të dialogut me Serbi?!”, ka përfunduar Haziri.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur detajet se pjesëmarrja e votuesve është minimale në katër komunat e veriut.
“Në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok shtatë votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 32 votues”, ka thënë Radoniqi.
Ai ka thënë se duke u mbështetur nga të dhënat që kanë pranuar, qendrat e votimit vazhdojnë të jenë të hapura.
Në emër të KQZ-së ai i ka ftuar të gjithë qytetarët e këtyre komunave që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit.
Kujtojmë që sot në katër komunat veriore të vendit votohet për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Në listën e qytetarëve me të drejtë vote janë 46 mijë e 556 votues.