Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi po shkon drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Ai ka thënë se Kosova duhet të jetë e kujdesshme që të mos gjendet në pozicionin ku ndërkombëtarë i thonë “merre ose lëre”.
Këto deklarata, Haziri i ka bërë në emisionin “DPT te Fidan Jupolli” në T7.
“Mos të vijmë në një pozicion, kur ata do të thonë merre ose lëre. Vjen një pozicion kur do të jemi në pozita të vështira, por kjo është detyra e përfaqësuesve të shtetit, me kry detyra të vështira. Mund të vijmë në një situatë ku thonë merre ose lëre. Kjo është korniza dhe pala që nuk pranon, do t’i ketë pasojat e veta”, ka deklaruar ai.
Haziri ka thënë se ky momentum i ri politik duhet të shfrytëzohet nga Kosova.
“Dialogu drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse, një momentum politik që duhet të shfrytëzohet, sidomos nga pala jonë. Le të largohen të gjitha problemet e kërkesat teknike dhe të hyhet në marrëveshje gjithpërfshirëse, e cila sipas dokumenteve që ka shpalosur kryeministri, i ka 6 pika kryesore që duhet të harmonizohen së bashku me faktorët ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
Sipas Hazirit, aktivizimi i të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka dhënë dinamikë të re dialogut. Ai ka thënë se ai përfaqëson presidentin amerikan, Joe Biden.
“Aktivizimi i z. Escobar me të gjitha kapacitetet, sepse ai mbulon qeverinë amerikane, Shtëpinë e Bardhë, vetë presidentin Biden, ka shkaktu këtë rrethanë të re që po çon në momentum të ri politik. Bashkangjitja e dy autoriteteve të larta, nga Franca e Gjermania, është lehtësim për z. Laçak. Duhet ikur nga rrethanat ku krijohet një ambient politik tip-konferencash ndërkombëtare. Sipas pritjeve, ky momentum i ri politik, nuk do të lëshohet nga partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
Haziri ka thënë se Kurti duhet të tregohet i guximshëm dhe ta lexojë drejt situatën, që është krijuar muajve të fundit. /GazetaExpress