Kosova dhe Serbia janë duke punuar që ta dështojnë marrëveshjen, kështu ka thënë sonte në emisionin “Click” të RTV21 nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri.
“Të dy palët sot janë duke punuar që ta dështojnë marrëveshjen”, ka thënë shkurt Haziri.
Propozim-marrëveshja që u bë publike pas takimit të 27 shkurtit, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Marrëveshjet e deritashme përfshijnë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila është arritur në vitin 2013, por nuk është zbatuar kurrë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq insiston në themelimin e tij.