Haziri: Nuk kam besuar që Hoti do të pranonte të propozohej për kryeministër

E publikuar: 07/05/2020 21:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se nuk ka menduar që i propozuari për kryeministër nga ana e LDK’së, Avdullah Hoti, do të pranonte të propozohej si i tillë.

“Nuk kisha menduar që Hoti do të pranonte të propozohet për kryeministër. Hoti edhe pasi u rrëzua qeveria e Mustafës, ka zbatuar politika opozitare në Kuvend”, është shprehur Haziri.

Ai tha se vet nuk ka pranuar të propozohet për kryeministër.

“Unë nuk kam pranuar të propozohem për kryeministër për shkak se jam kryetar i Gjilanit. Dhe kjo mundësi vjen një herë në jetë, nuk jam prej atyre që pranojnë të bëhen kryeministër vetëm sepse erdhi mundësia”, ka thënë Haziri.

Tutje, Haziri tha se është i gatshëm t’i nënshtrohet shumicës, nëse ajo mendon ndryshe tij.

“Qëllimet e mia politike, i plasoj deri në vendimmarrje. Nëse shumica mendon ndryshe, i nënshtrohem shumicës. Nuk jam tip që bëj zhurmë”, shtoi Haziri.