Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë në Specialen e Klan Kosovës se Lugina (Presheva, Bujanovci dhe Medvegja) duhet t’i bashkangjitet Kosovës.
“Unë e kam besim politik, e kam kauzë politike dhe e kam amanet politik që përfundimisht kufijtë e vitit 1956 t’i realizojmë dhe t’i bëjmë fakt në Republikën e Kosovës duke absorbuar kërkesën politike të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, bazuar në referendumin e tyre, në vullnetin e tyre të shprehur me referendum në kohën e caktuar, për të qenë pjesë e Kosovës sepse ata historikisht dhe gjeografikisht kanë qenë gjithmonë pjesë e pandashme e Kosovës”.
“Duhet të mbetet kështu dhe ka mundësi – kjo mundësi është historike që të zgjidhet problemi i tyre, problemi jonë jo i tyre sepse me vet faktin se po flasim për ata po flasim për diçka të huaj – ata nuk janë të huaj, ata janë viktima politike e Kosovës së Vjenës sikur Kosova ka qenë viktimë politike kolektive e Shqipërisë së Londrës”.
“Ka ardhë koha të rregullohemi dhe nuk duhet të frikësohemi nga ky ndryshim”.
Sipas Hazirit, bashkangjitja e Luginës me Kosovën megjithatë nuk nënkupton cenim të territorit të Kosovës/
“Në asnjë mënyrë nuk mund të flitet për cenim të territorit të Kosovës ose sovranitet të tërësisë territoriale të Kosovës, po flitet për Kosovën e Fadil Hoxhës të vitit 1974, Kosovën e Fadil Hoxhës në vitin 1956”.
“Po e personifikoj me liderët e asaj kohe që kanë qenë – nuk duhet në asnjë mënyrë ta shohim si tjetër Kosovë, ka qenë një Kosovë por në vitin 1956 ka qenë pak më e madhe se kjo e vitit 1974 dhe nëse ka qenë si e tillë, atëherë pse duhet të na pengojë që ajo Kosovë duhet të jetë në funksion të një Republike funksionale e cila nuk i cenon interesat e fqinjëve, nuk e hapë asnjë Kuti të Pandorës sepse i njëjti fjalor që është përdorë për statusin politik të Republikës së Kosovës para vitit 2008 po përdoret tash për pjesën e Kosovës Lindore”.


















