Haziri: Lajçak e Escobar na njoftuan se Serbia në Bruksel e përmendi Asociacionin

E publikuar: 31/08/2022 19:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i LKD-së, Lutfi Haziri, ka thënë se janë njoftuar nga emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se Asociacioni i Komunave Serbe ishte temë e diskutimit më 18 gusht në Bruksel.

Ai tha se Escobar e Lajçak thanë asociacioni s’ka qenë çështje primare, por është përmendur e në veçanti nga pala serbe, teksa shtoi se kryeministri Kurti në platformën 6-pikëshe ka insistuar që të fillohet me bisedime për çështje konkrete.

“Ajo që është e vërtetë e madhe e fakt është se ndërmjetësit ndërkombëtarë e në këtë rast edhe lehtësues sic është ShBA-ja, kanë ndikim në një dinamikë dhe agjendë që t’i detyrojnë palët të ecin bashkë dhe sipas asaj që janë dakorduar takimet e rregullta mujore, ekipet e tyre në baza ditore të punojnë në cështje që janë të hapura dhe duhet një vullnet politik më i madh në Prishtinë”, është shprehur Haziri në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, Haziri tha se kryeministri i vendit, Albin Kurti, s’ka negociuar asgjë deri më tani, teksa tha se zëvendësi i tij, Besnik Bislimi si i deleguar i Kurtit ka arritur që të gjejë rrugë për disa çështje të mundimshme, teksa shtoi se takimi i 18 gushtit ka dhënë shpresë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Bisilimi si negociator i deleguar i Kurtit, ka arritur që disa nga çështjet e mundimshme dhe marrëveshjet që s’janë zbatuar ka arritur që ta gjejë një rrugë duke e lehtësuar Brukseli e Washingtoni protokollin e implementimit të tyre”.

“Kurti ende s’e kemi parë në negociata të drejtpërdrejta teksa takimi i gushtit po cilësohet si hapi i parë i tij i cili në pesë orë e ka hapur një kaptinë dhe ka krijuar një shpresë që mund të shkohet drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, është shprehur Haziri.