Në ditën e 109 të përballjes me Covid-19, Komiteti për menaxhimin e situatave i ngritur në nivelin e shkallës së dytë të rrezikshmërisë, ka vlerësuar gjendjen në të cilën është Komuna e Gjilanit në aspektin e shëndetit publik dhe janë analizuar burimet e fundit të cilat kanë rezultuar pozitiv ne test, e që lidhen me burime në vendin e punës, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.
Në fjalën e tij para gazetarëve, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, pas takimit që kishte me komitetin ka deklaruar se rastet e fundit në Gjilan, kontaktin me infeksionin e kanë nga vendet e tyre të punës në institucionet dhe detyrat zyrtare shtetrore por edhe nga puna në sektorin privat.
“Angazhimi në menaxhimin e rasteve pozitive në Gjilan është i vazhdueshëm përmes ekipeve mjekësore, monitorimin nga inspektorët komunal dhe punën e madhe që e bënë policia dhe institucionet tjera përgjegjëse. Deri më tani janë testuar nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik 1442 qytetarë, prej të cilave raste aktive i kemi 71, të shëruar 91, nga jeta janë ndarë 3 qytetarë të cilët kishin edhe probleme të tjera shëndetësore”, ka thënë në konferencë me gazetarë.
Kryetari Lutfi Haziri, ka potencuar se pikë e zezë në pandemi mbetet edhe më tutje vdekja e Agon Musliut, në karantinë në Prishtinë, e cila lidhet me zhvillimet e pandemisë dhe presim që hetimet ta zbardhin rastin e tij deri në fund.
Gjithashtu ai ka konfirmuar se inspektorët e Komunës së Gjilanit janë duke punuar në respektimin e rekomandimeve shëndetësore, atyre të Komitetit të Emergjencave dhe manualit që e ka nxjerrë Ministria e Shëndetësisë dhe e njejta kërkohet edhe nga qytetarët.
I Pari i Gjilanit ka apeluar te të gjithë qytetarët për kujdes maksimal ndaj vetvetes, familjes, fëmijëve e pleqëve, duke zbatuar masat mbrojtëse, ruajtjen e distancës duke i llogaritur këto pjesë të jetës dhe kulturës së të jetuarit, në vende publike, rrugë, punë dhe kudo që të jemi.
Ai ka paralajmëruar masa rigoroze në Gjilan nëse vazhdon trendi i infektimit në rritje, njoftohet nga Komuna e Gjilanit.
“Nëse vazhdon kështu në rritje trendi negative i përhapjes së infeksionit, unë jam kategorik për ashpërsim të masave. Po punojmë vazhdimisht me këtë ekipë, me këshillat e fshatrave dhe me institucionet tjera publike që të mos vie deri aty. Kemi bërë përgatitjen për pritjen e bashkatdhetarëve, janë hapur të gjithë kufijtë, aeroporti dhe kufijt tokësor. Gjatë kësaj jave me kërkesën tonë do të hapet edhe pika kufitare Stançiq – Bellanoc. Të shkojmë drejtë normalizimit por me masa shtesë të kujdesit dhe shpresojmë shumë në normalizim të plotë”, ka theksuar kryetari Haziri.