Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se nuk është e domosdoshme që PDK të bëhet pjesë e Qeverisë Hoti për të krijuar stabilitet politik, stabilitet që ai e pranon se i mungon ekzekutivit aktual e cila nuk i jep as siguri në punë.
Në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Haziri tha se LDK nuk i ka dërguar as ftesa dhe nuk ka zhvilluar asnjë takim me PDK për ta bërë pjesë të qeverisë aktuale.
“S’kemi, as takime, as ftesa, as komunikime për formulë të re qeverisëse. Pritjet janë të ndërtohet një qeverisje me stabilitet, për mua jo domosdoshmërish duhesh me qenë në qeveri për të krijuar stabilitet. Tek e fundit, stabiliteti politik është përgjegjësi e të gjitha partive”, deklaroi Haziri.
I pyetur nëse është anashkaluar nga LDK gjatë proceseve të fundit në lidhje me zgjedhjen e kryeministrit dhe koordinatorit për dialog, Haziri tha se është i përqendruar në detyrën e tij si kryetar i Gjilanit dhe se kontributin tij si nënkryetar i partisë e ka dhënë gjatë zgjedhjeve të brendshme dhe në kandidaturën e Vjosa Osmanit për kryeministre.
Po ashtu, Lutfi Haziri është pyetur nëse do të pranonin një president të propozuar nga PDK, por kreu i Gjilanit deklaroi se “Një president të pranuar për të gjithë nuk kemi pse të refuzojmë”.
Në lidhje me kandidaturën e Ramush Haradinajt për postin e presidentit, Haziri u shpreh se “AAK ka bërë një hap përpara të gjithë në lidhje me këtë çështje dhe se kjo mbetet e hapur dhe nëse Haradinaj dikur ka qenë një kryeministër i pranueshëm për LDK do të thotë se mbetet një partner i qëndrueshëm politik”.