Komuna e Gjilanit, në bashkëkoordinim me organizatën “Agro-Eko”, ka organizuar sot “Ditën e Kulturës së SHBA-ve” në të cilën ka marrë pjesë kreu i Komunës, Lutfi Haziri, përfaqësues nga jeta institucionale e kulturore.
Kryetari Haziri, tha se kjo po bëhet në shenjë falënderimi për ndihmën e madhe që SHBA-të kanë dhënë për vendin tonë, sikurse edhe për bashkatdhetarët tanë.
“Sot po shënojmë Ditën Kulturore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të programit për mërgimtarët. Në kuadër të kësaj jave, ne do të shënojmë të gjitha aktivitetet që lidhen me kulturën e shteteve mike. E filluam me Japoninë, njëra nga shtetet që e ka pranuar shpejt Pavarësinë e Kosovës dhe e cila është njëra nga donatorët më të mëdhenj në Kosovë. Ky është viti i parë dhe natyrisht që do të vazhdojmë ta pasurojmë programin e aktiviteteve dhe i përkushtohet bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Amerikë, atyre që kanë bërë shumë për Kosovën dhe për Gjilanin në veçanti. Ju lus që ky solidaritet i yni të pranohet vetëm si falënderim për njerëzit që nuk e kanë harruar asnjëherë Gjilanin”, ka deklaruar Haziri.
Ai tha se Kosova dhe Gjilani e ka listën jashtëzakonisht të madhe dhe se nuk duhet harruar asnjë nga shtetet mike.
“Ne jemi të njohur me hartën gjeo-politike nga sektori amerikan në Kosovë me bazën më të madhe ushtarake jashtë Amerikës çfarë ka qenë “Bonsteel” dhe kampi “Monteeth”, të cilët kanë ruajtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve tanë me trupat e tyre. Duhet ta theksojmë se Kosova e ka listën e miqve jashtëzakonisht të madhe dhe nuk mund ta harrojmë askënd”, tha ai.
Ndërkohë, Komuna e Gjilanit shënon nesër “Ditën Kulturore të Gjermanisë”.