Vetëm dy raunde. Kaq zgjati përballja e shqiptarit Arnold Gjergjaj që përfaqëson Zvicrën në boksin profesionist. 31-vjeçari që njihet me nofkën “Kobra”, nuk mundi të bënte shumë përballë David Haye. Përballë 15 mijë të pranishmëve në “O2 Arena” të Londrës, mes të cilëve ndodhej edhe Jose Mourinho, boksieri amerikan fitoi në dy raunde. Pas knoc doën-it në raundin e parë, britaniku Haye e rrëzoi Gjergjaj-n edhe dy herë në tapet në raundin e dytë, përpara se gjyqtari të mbyllte duelin. Pas suksesit me Arnold Gjergjaj-n, i dyti në katër muajit e fundit, 35-vjeçari Haye do të duelojë me veteranin amerikan Shannon Briggs. Dueli do të zhvillohet në Shtator, ndërsa synimi i David Haye është të jetë rival për titullin IBF kundër Anthony Joshua ose përballë Tyson Fury, mbajtësit të brezave WBA dhe WBO.
Në afro 1000 kilometra distancë, në Olten të Zvicrës, në ring zbriti Nuri Seferi përballë boksierit serb Dusan Krstin. Falë mbështetjes së tifozëve të shumtë të pranishëm, “Tyson-i shqiptar” triumfoi pas gjashtë raundeve, i mbështetur edhe nga qindra tifozë me flamujt kuqezi. Me rivalin që mbante në gjoks tatuazhin e Mlladiç dhe që në fund të duelit nuk i kurseu simbolin e çetnikëve, e bëri të pashmangshëm që dueli sportiv të kalonte edhe në planin politik me Nuri Seferin që pas triumfit i’u përgjigj provokimeve të rivalit.
“Këtij këtu, me çetnikun në gjoks, ia tregova shqipen e vërtetë”, tha Seferi pas duelit të fituar.