Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj rastit të dhunimit të 11-vjeçares.
Haxhiu, përmes një postimi në facebook, ka thënë se është tronditës fakti që fëmijët, vajzat e gratë janë ende të pasigurta, sepse, sipas saj, dhunuesit gjenden në liri, dhe ende krime të tilla nuk trajtohen seriozisht.
“Edhe një krim tjetër. Edhe një viktimë. Edhe shumë dhunues të lirë. Është tronditës fakti që fëmijët, vajzat dhe gratë ende nuk janë të sigurt, sepse dhunuesit qëndrojnë në liri, sepse nuk shqiptohen dënimet meritore, sepse ende krime të tilla të rënda nuk trajtohen seriozisht dhe ende tentohet të normalizohen e harrohen”, ka shkruar Haxhiu në facebook.
Ajo tha se duhet angazhim serioz i institucioneve relevante dhe i gjithë shoqërisë.
“Ftoj institucionet relevante që të trajtojnë këtë krim të rëndë, duke dëshmuar sa më parë përkushtim dhe rezultat në përndjekje dhe ndëshkim ndaj dhunuesve të të gjitha formave”, ka shtuar ajo.
Haxhiu tha se si Ministri e Drejtësisë, janë të përkushtuar që të ndërtojë infrastrukturën më të duhur ligjore, që për aq sa u jep kompetencë ligji, të kryejnë të gjitha detyrat që i kontribuojnë drejtësisë.
“Policia duhet të sigurojë lirinë e qytetarëve dhe gjykatat duhet të veprojnë, ato nuk duhet ta vështirësojnë tutje jetën qytetare me lirim të kriminelëve”, ka përfunduar ajo.