Haxhiu: Serbia t’i dorëzojë kriminelët e luftës, nuk mund të falen 20 mijë dhunime seksuale gjatë luftës

E publikuar: 19/06/2023 14:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt ka thënë së Serbia është adresa ku duhet drejtuar thirrja për drejtësi.

Sipas të parës së Drejtësisë, dhuna seksuale gjatë luftës, e përjetuar mbi trupat e grave dhe të burrave, është krimi më i rëndë dhe mizoria e cila ende nuk është dënuar e as nuk është vendosur drejtësi.

Ajo ka thënë se për dhunimet që u shkaktuan ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, duhet ti kërkohet Serbisë ti dorëzojë kriminelët e luftës që i mban në Serbi.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt, bota duhet të flas edhe më shumë për dhunimet që u shkaktuan ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, e madje zëshëm duhet t’i kërkohet Serbisë t’i dorëzojë kriminelët e luftës që po mbahen në Serbi”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, Serbia është adresa ku duhet drejtuar thirrja për drejtësi, nga bota demokratike që ka për bazë lirinë dhe të drejtat e njeriut.

Ajo ka thënë se nuk mund të falen e as të harrohen 20 mijë dhunime seksuale gjatë luftës.

“Do të punojmë çdo ditë që kriminelët të dalin para drejtësisë!”, ka thënë Haxhiu.