Haxhiu: Opozita s’e ka hallin te Lista Serbe, por te Vetëvendosja dhe Kurti

E publikuar: 15/04/2025 13:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se kabineti qeveritar ka kryer të gjitha detyrat e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Ajo ka akuzuar opozitën se nuk ka shqetësim të vërtetë për Listën Serbe, por se hallin e ka me Vetëvendosjen dhe kryeministrin Albin Kurti.

Sipas saj, pavarësisht se grupi parlamentar i VV-së ishte i gatshëm të merrte pjesë në seancë dhe të votonte raportin për betimin e deputetëve, opozita nuk e ka mbështetur atë.

Haxhiu e cilësoi si shqetësuese faktin që opozita nuk e përmend fare Listën Serbe, por përqendrohet vetëm në sulme ndaj VV-së dhe Kurtit, ndërkohë që Qeveria në detyrë ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj ligjore.

“Si kabinet, i kemi kryer të gjitha detyrat dhe obligimet tona sipas Kushtetutës dhe ligjit. Siç edhe e dini, sot ishim të pranishëm në seancën e Kuvendit. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes ishte i gatshëm të merrte pjesë dhe të votonte raportin për betimin e deputetëve. Por ndodhi një situatë e paprecedent – opozita nuk e votoi raportin e komisionit të udhëhequr nga Artan Abrashi. Ajo që është shqetësuese, është se opozita nuk tha asnjë fjalë kundër Listës Serbe, por të gjithë e kanë hallin te Vetëvendosja dhe Albin Kurti. Ata nuk e kanë hallin me Listën Serbe, por me ne. Tentojnë të vonojnë procesin dhe nuk janë të interesuar për krijimin e institucioneve”, ka thënë ajo.