Ministria e Drejtësisë, ka bërë të ditur se ministrja Albulena Haxhiu, ka nënshkruar marrëveshjen me ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë.
Këto marrëveshje tashmë ishin nënshkruar nga Qeveria e Shqipërisë dhe sot janë dërguar në Kosovë për t’u nënshkruar nga pala kosovare.
Këto marrëveshje ishin planifikuar të nënshkruhen në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, që ishte paraparë të mbahet më 14 qershor, mirëpo ishte anuluar.
Ndërkohë, kryeministri, Albin Kurti të mërkurën ka thënë se meqë Rama vjen në Kosovë atëherë i ka propozuar atij që të mbahet mbledhja e përbashkët e dyqeverive.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të enjten ka njoftuar se pala shqiptare ka nënshkruar marrëveshjet dhe ka dërguar ato për nënshkrim nga ana e Kosovës.
“Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite.” – ka shkruar Rama në Facebook.
Rama do të qëndrojë sot në Kosovë, por nuk dihet nëse do të takohet me Kurti, por tashmë dihet se Rama do të takohet me presidenten, Vjosa Osmani dhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.