Bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë mirëkuptim ndaj qëndrimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, në raport me Listën Serbe, thotë nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu.
Dy ditë pasi Ambasada e SHBA-së në Kosovë reagoi karshi LVV-së për shkak të mos certifikimit të Listës Serbe nga KQZ-ja, Haxhiu deklaron se në asnjë vend demokratik nuk do të ishte normale që një subjekt i tillë si Lista Serbe, që kryetar formal e ka kryeterroristin Milan Radoiçiq, të garonte në zgjedhje parlamentare.
Pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e certifikoi Listën Serbe, ajo thotë se e njëjta nuk duhet të kishte presione, duke aluduar në ndërkombëtarët për ta rrëzuar vendimin e KQZ-së, raporton KosovaPress.
KQZ nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Mirëpo pas ankeses së Listës Serbe, PZAP vendosi të premten në favor duke certifikuar të njëjtën për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.,
Edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe lokale, KQZ nuk ka certifikuar Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje, por më pas PZAP e ka certifikuar të njëjtën.
Haxhiu në një intervistë për KosovaPress i kundërpërgjigjet edhe komenteve që ajo i quan fyese të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, karshi grave të Vetëvendosjes. Haxhiu tregon se a do të shkarkojë VV-ja anëtarin e saj në KQZ, Sami Kurteshin, për shkak të gjuhës dhe komenteve ofenduese ndaj gazetarëve dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
“Edhe partnerët tanë ndërkombëtarë me të cilët kemi komunikime edhe ata e dinë se kush është Lista Serbe. Mendoj se pikërisht duke u përpjekur me çdo kusht që Lista Serbe të konsiderohet si një subjekt demokratik dhe normal në Kosovë mendoj se po e mbysin pluralizimin brenda vet subjekteve të tjera që e përfaqësojnë komunitetin serb… 09:17 Partnerët tanë ndërkombëtarë e dinë shumë mirë se cilat janë arsyet dhe ata kanë dokumente të mjaftueshme që ndërlidhen me Listën Serbe. Ata e dinë se kryetari formal i Listës Serbe është kryeterroristi Milan Radoiçiq… Ne kemi pritur që qëndrimet tona të kenë mirëkuptim por megjithatë kjo nuk nënkupton që ne nuk duam të mbrojmë pozicionin tonë… Nuk e shoh se ka ndonjë kosto. Ne mundohemi t’i fuqizojmë raportet tona. Qëndrimet ndryshe janë normale në një vend si Kosova, pasi asnjë veprim nuk e kemi bërë në mënyrë tinëzare”, thekson ajo.
Sipas saj, Lista Serbe i përfaqëson interesat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe de-fakto e ka për kryetar kryeterroristin Milan Radoiçiq, i cili është përgjegjës për sulmin terrorist serb në Banjskë, në vitin 2023.
Haxhiu për KosovaPress, flet edhe për vendimin e PZAP për të shfuqizuar vendimin e KQZ-së që zgjedhjet e dhjetorit në diasporë të zhvillohen edhe në objekte jashtë përfaqësive diplomatike. Sipas saj ky është një interpretim i ngushtë i PZAP-së dhe shpreson që Gjykata Supreme ta rrëzojë të njëjtin.
Përkitazi me këtë ajo thotë se Ligji për zgjedhje nuk e ndalon që mërgata të votojë edhe jashtë përfaqësive diplomatike.
Krahas kësaj, Haxhiu thotë se nuk do ta tërheqin Sami Kurteshin nga KQZ-ja pavarësisht kërkesës së AGK-së pas komenteve fyese dhe ofenduese të Kurteshit karshi mediave.
Në anën tjetër, Haxhiu kritikon ashpër kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, për komentet e tij karshi grave të Lëvizjes Vetëvendosje. Madje ajo thotë se i njëjti “është bërë milioner duke qenë politikan”.


















