Albulena Haxhiu
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka shprehur pakënaqësinë e saj në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Sipas Haxhiu, e habitshme del fakti sesi Kushtetuesja e ka përmendur se përzgjedhja e anëtarit nga Avokati i Popullit është anti-kushtetues.
“Ne kemi dashur reformimi Këshillit Prokurorial të Kosovës për të eliminuar grupet e interesit dhe ato të korporatizimit. Për të mundësuar një përbërje të re të Këshillit, në mënyre që të sigurohemi se Kryeprokurori punon në mënyrë të panashme”, ka thënë Haxhiu në konferencë për media.
“Asesi nuk mund të pranojmë që në petkun e pavarësisë së drejtësisë të bëhet korporatrizimi. Ne nuk e kemi pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por deshëm të ju njoftojmë edhe juve për pikëpamjet dhe argumentet tona lidhur me këto të gjetura”.
Tutje Haxhiu ka kontestuar pikat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se për këtë Ligj nuk kanë vepruar kokë në vete, dhe se janë konsultuar me Komisionin e Venecias, dhe partnerët ndërkombëtarë.
Kushtetuesja ka konstatuar se disa nene të këtij Ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Sipas vendimit të Gjykatës, Ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e Këshillit Prokurorial dhe e nenit për të Drejtën për Mjete Juridike.