Haxhiu: Ftoj policinë të më arrestojë

E publikuar: 14/10/2015 00:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albuelena Haxhiu, që po hetohet nga Prokuroria e Shtetit për veprat penale në Kuvendin e Kosovës, thotë se nuk ka ikur asnjëherë nga policia duke e ftuar atë që ta arrestojë, madje edhe në studiot e KTV-së.

“Kemi dëgjuar që Policia e Kosovës po kërkon intervistimin tim dhe të Albin Kurtit dhe e them me përgjegjësi të plotë se nuk jemi fshehur nga Policia. Kam vazhduar aktivitetin tim publik dhe i bëj thirrje policisë të më arrestojnë, madje edhe në këtë studio, por mos të bien nën urdhrat e Isa Mustafës”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

“Dua që Policia të mos i shërbejë Mustafës dhe mos të dorëzohet në marrëveshjet e pranuara nga ai”, ka shtuar ajo.

Haxhiu ka thënë se veprimet e opozitës, për të cilat po hetohet nga Prokuroria e Shtetit, vijnë për të ndalur sjelljet e pozitës dhe kryeministrit Mustafa, të cilin ajo e ka quajtur “mashtrues”.

“Gazi lotsjellës ishte për të ndalur situatën që ata po duan të mbajnë. Ata duan që situata të duket normale, por kjo është situatë e jashtëzakonshme. Kemi injorim të jashtëzakonshëm të këtij kryeministri mashtrues. Ai ka thënë se nuk i tërheqë nënshkrimet, por asnjëherë nuk ka argumentuar pse janë të mira këto nënshkrime. Ai ka vrapuar në televizione se kjo ishte OJQ, por nuk shkuan pak ditë dhe kuptuam se kjo ishte lloj bosnjezimi”, ka shtuar ajo.

“Sot arrestohesh nëse mbron shtetin, dhe jo nëse e vjedh atë”, ka vazhduar ajo duke vazhduar me kritikat për Mustafën, për të cilin thotë se “nuk do t’i tërheqë nënshkrimet pasi ai është frikacak”.

Haxhiu ka ripërsëritur akuzat se deputetja Blerta Deliu-Kodra kishte aktruar pas gazit lotsjellës kinse kishte marramendje. Ajo ka thënë se Deliu ishte urdhëruar nga Latif Gashi, për të aktruar dhe këtë e ka bërë me sukses.

“Latif Gashi e ka këshilluar Blerta Deliun të aktrojë për të bërë kinse ka marramendje prej gazit lotsjellës. Nuk ka mundësi të kesh marramendje. E kemi parë raportin mjekësor, por jam e bindur se Deliu ka mashtruar”, ka thënë Haxhiu.