Mospajtimet e polemikat midis deputetëve pro dhe kundër themelimit të Gjykatës Speciale nuk janë ndalur as në vigjilje të votimit të saj.
Këto janë shprehur në Rubikonin e sotëm të KTV-së.
Deputetë të ekzekutivit e opozitarë kanë shprehur mendimet e tyre në prag të votimit të projektligjit që i hap rrugë formimit të Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë.
Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes ka thënë se po bëhen presione nga ndërkombëtarët te deputetët kundërshtues që ta votojnë atë. Ajo ka shtuar se presione po bëhen edhe nga politikanë vendorë.
Ndërsa Xhavit Haliti ka thënë se Specialja është kërkuar nga ndërkombëtarët.
Nënkryetari i Kuvendit njëherësh deputet i PDK-së, ka shtuar se Specialja i duhet Kosovës për pastrim konfliktesh. Haliti ka theksuar se dyshon se do të mund t’u ndryshohet qëndrimi i shteteve perëndimore për formimin e Gjykatës Speciale.
Kundër themelimit të Speciales është për Pal Lekaj i AAK-së, për të cilin Gjykata është absurde.
Melihate Tërmkolli e LDK-së thotë se Kuvendi duhet ta votojë formimin kësaj Gjykate.
Seanca e Kuvendit në të cilën do të votohet Specialja është thirrur që të mbahet më 26 qershor, në orën 9.
Po këtë ditë është paralajmëruar edhe mbajtja e protestës së OVL-ve e cila përkrahet nga të gjitha partitë opozitare.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.