Haxhiu: E shqetësuar me rastin për tokën në lagjen “Veternik” të Prishtinës

E publikuar: 30/10/2024 13:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se rasti me tokën në lagjen “Veternik” të Prishtinës dhe “kjo që ndodhi me zarfin që sipas raportimeve del të jetë dokument i falsifikuar nga Beogradi”, me të cilin dokument, sipas saj, Prokuroria Speciale mbylli hetimet është vërtetë shembull se si ka funksionuar e funksionon ende drejtësia në Republikën e Kosovës.

Në një postim në Facebook, ajo ka pohuar se në mënyrë të falsifikuar i merret prona qytetarit dhe në mënyrë të falsifikuar nga Serbia po ashtu, mbyllet rasti në dëm të qytetarit.

Më tej, ajo ka theksuar se bë vazhdën e zbardhjes së këtij rasti, si Ministri e Drejtësisë, në kuadër të kompetencave ligjore, kanë dërguar letër në organet kompetente në Serbi për të marrë përgjigje në lidhje me të vërtetën e pronës. Sipas saj, asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje siç nuk marrin kurrë nga ta për shkak të problemeve politike.

“Si ministre e drejtësisë, jam vërtetë e shqetësuar me gjithë këtë rast, veçanërisht, dhe me pretendimet e përfshirjes edhe të akterëve institucional të drejtësisë në këtë rast të kësaj prone, që nga vet prona deri te mbyllja e rastit me dokumente të falsifikuara”.

“Autoriteti përgjegjës me urgjencë duhet të hetojë mbylljen e dyshimtë të këtij rasti nga Prokuroria Speciale përmes dokumenteve të falsifikuara dhe të trajtojë po ashtu shqetësimet e faktuara të familjes së dëmtuar për lidhjet në këtë rast të vet prokurorëve special të Kosovës me vet pronën konkrete”.

“Drejtësia ka kuptim veç kur e mbron të dobëtin nga i forti e i pushtetshmi. Kur i pushtetshmi lidhet me krimin aty krimi bëhet i organizuar dhe institucional. Aty bie edhe drejtësia, demokracia e republika. Dhe kjo nuk duhet të tolerohet”, ka thënë Haxhiu.