Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrje të Agjencionit të Kosovës për Inteligjencë (AKI), Haxhi Shala, në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjinit, ka theksuar se si rezultat i informatave të cilat i posedon ai, mund të ketë ndodhur që gjatë rekrutimit të personelit të AKI-së, të ketë pasur parregullsi.
Ai ka sqaruar se ka një bashkëpunim të mirë në mes Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së dhe zyrtarëve të inteligjencës kosovare, deri në atë masë që sipas tij, e lejon ligji.
“Është bërë zhurmë se gjoja ka pasur parregullsi në rekrutimin e personelit të AKI-së, ku ka qenë i ftuar inspektori i përgjithshëm i AKI-së, të raportojë për te gjeturat ose jo të gjeturat në këtë institucion”, ka thënë Shala, transmeton Telegrafi.
Ai ka folur edhe për lajmet të cilat kanë qarkulluar nëpër media, se qytetarët e Kosovës po përgjohen nga shteti i Serbisë.
Në këtë drejtim ai ka theksuar se Serbia, edhe pas largimit të disa antenave të saj, të cilat kanë qenë në Kosovë, gjatë vitit 2008 dhe 2009, ka filluar të instalojnë antena nëpër komuna ku banojnë serbë.
“Sipas informative të cilat i kemi, Serbia ka futur antena të reja në disa lokacione, si Graçanica e disa fshatra në Rahovec, pastaj antena të tilla janë vendosur edhe në Pejë. Të gjitha deklarimet për përgjimet duhet të merren si serioze. Ne çdo herë jemi përgjuar nga Serbia”, ka shtuar Shala.