Havolli: Mustafa në Londër i bindi investitorët të vijnë në Kosovë, ata s’pyetën për korrupsionin

E publikuar: 05/11/2016 00:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Në forumin për Investime dhe Tregti, ka pasur një prezencë të madhe të investitorëve nga SHBA-të e Britania. Aty kishte rreth 200 investitorë. Vizita e pjesëtarëve të qeverisë në Londër, ishte e suksesshme. Investitorët e mundshëm, kanë pasur pyetje të ndryshme për tema të ndryshme. Më së paku na pyetën për korrupsionin”.

Sokol Havolli 23:50, 4 Nëntor 2016
Vizita e kryeministrit Isa Mustafa në Britani të Madhe, po cilësohet si e frytshme nga këshilltari i tij Sokol Havolli.

Këshilltari i kreut të ekzekutivit, në një intervistë për emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova, është shprehur se forumi për Investime dhe Tregti që u mbajt në Londër pati mbi 200 investitorë, të cilëve iu prezantuan mundësitë e investimeve në vend.

Sokol Havolli dhe Shkodran Gajraku

“Kryeministri Isa Mustafa, bashkë me ministrat e profilit të ekonomisë, kanë bërë vizitë në Britani të Madhe, me qëllim pjesëmarrjen në forumin për investime dhe tregti që është organizuar në Londër. Në forumin për Investime dhe Tregti, ka pasur një prezencë të madhe të investitorëve nga SHBA-të e Britania. Aty kishte rreth 200 investitorë. Vizita e pjesëtarëve të qeverisë në Londër, ishte e suksesshme”, ka thënë Havolli.

Sipas tij, më të interesuar investitorët amerikanë e ata britanikë, janë shprehur për industrinë e rëndë të metaleve dhe mineraleve në Kosovë.

“Pati një numër të madh të njerëzve dhe që të gjithë ishin biznesmenë që u shprehën të interesuar për të investuar në Kosovë. Ata ishin të interesuar në fushën e përpunimit dhe nxjerrjes së mineraleve të ndryshme. Prezenca e tyre në forum, tregon se ka interesim për të investuar në Kosovë”, është shprehur ai.

Ndonëse korrupsioni cilësohet si njëri ndër faktorët që po e pengon zhvillimin ekonomik në vend dhe po i pengon investimet e huaja direkte, Havolli thotë se investitorët në vizituan Forumin në Londër, as që pyetën për këtë dukuri por u interesuan për diçka tjetër.

“Investitorët e mundshëm, kanë pasur pyetje të ndryshme për tema të ndryshme. Më së paku na pyetën për korrupsionin. Ata ishin të interesuar për sistemin gjyqësor, donin ta kishin sigurinë juridike”.

Havolli deklaroi se kryeministri është përpjekur që të flasë për Kosovën si një vend tejet normal, duke u munduar të tregojë se gazi lotsjellës në Kuvend, nuk është imazhi real i vendit.

“Mustafa e prezantoi Kosovën si një vend normal, dhe se Kosova nuk është ashtu siç është prezantuar herë pas here në parlament. Qëllimi ishte t’i bindim se Kosova është vend i përshtatshëm për investime, dhe ia kemi arritur t’i bindim”.

Përvec kësaj, Havolli ka theksuar se Kosova po ka zhvillim ekonomik dhe investimet po rriten nga viti në vit,

“Ka rënie të investimeve të huaja direkte, por kemi rritje të investimeve të përgjithshme. Investimet private në Kosovë janë rritur për 7%. Komponenta e investimeve ka performancë më të mirë se vitin e kaluar. Në kontekstin ekonomik, çdo vit po bëhemi më mirë e më mirë”.