Lideri i PDK’së Hashim Thaçi, ka bërë një deklaratë e cila në fakt është një porosi për Lidhjen Demokratike të Kosovës, nga e cila tashmë kanë dalë zëra se nuk do të votojnë atë për President, në vitin 2016, sipas marrëveshjes të arritur ndërmjet dy subjekteve. Thaçi ka thënë se e favorizon zgjedhjen me votë të drejtpërdrejtë. Ai, ndërkaq, nuk e ka lënë pa e thumbuar edhe Presidenten Jahjaga.
Lideri i PDK’së, këto qëndrime i ka shpalosur në një televizion lokal në Prizren. Ndërkohë që një qëndrim i tillë është mbështetur edhe nga njeriu i dytë i PDK’së, Kadri Veseli, i cili gjatë ditës po ashtu ka thënë se Thaçi do të bëhet President me votë popullore.
Një skenar i tillë pashmangshëm do të çonte në prishjen e koalicionit PDK-LDK.
Porosinë e tij, lideri i PDK’së ka dashur ta dërgojë me çdo kusht. Edhe pse gazetari e ka mbyllur intervistën pa e bërë këtë pyetje, Thaçi insiston që intervista të vazhdojë për të shfaqur qëndrimin e tij. Kjo vërehet qartë në videon më poshtë.
“Unë jam duke e respektuar mandatin tim kushtetues dhe ligjor, jam duke punuar edhe në përputhshmëri edhe me mandatin e fituar nga qytetarët e vendit si lideri më i votuar në tri palë zgjedhjet nacionale të fundit por edhe të qershorit të vitit të kaluar, do ti kryej këto përgjegjësi institucionale por do të respektojë marrëveshjen e partneritetit që e kemi si koalicion që Presidenti të zgjidhet në fillim të vitit 2016 nga PDK. Unë do të punoj maksimalisht që të krijohet një opinion i nevojshëm dhe i pranueshëm qoftë nevoja për zgjedhjen e Presidentit përmes Kuvendit të Republikës apo përmes votës së drejtpërdrejtë. Nëse më pyet personalisht unë do të isha që të kemi zgjedhje të Presidentit përmes votës së drejtëpërdrejtë të qytetarëve dhe në kuadër të kësaj unë do të marrë vendimin në kohën e duhur që nëse vendos të kandidoj për President të Republikës së Kosovës të kërkojë drejtpërdrejt votën të shpalos orientimin programin dhe qasjen time për një rol të ri Presidencial në Kosovë dhe të prezantojë vendim tim me përvojën time shumëvjeçare por në të njëjtën kohë me vizion euroatlantik” ka thënë ai.
Ai më pas ka thumbuar edhe Presidenten Atifete Jahjaga duke lënë të kuptohet se ajo si Presidente është e dobët.
“Liderët me legjitimitet të plotë qytetarë, liderët me eksperiencë i japin fuqi edhe institucionit, por në të njëjtën kohë edhe institucioni pavarësisht sa i lartë mund të jetë nëse e ka një individ të dobët e dobëson institucionin. Me legjitimitetin qytetar që e kam më përvojën që e kam mund ta rifuqizoja edhe institucionin e presidentit dhe roli e fytyrës së Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare” ka thënë ai.