Hasani: Mos e gjymtoni sovranitetin e vendit

E publikuar: 17/06/2015 13:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën, njëherësh kryetar i Degës në Gjilan, Bajram Hasani, ka kritikuar krerët e institucioneve të vendit se po bëjnë thirrje për konsensus për tema që janë kundër interesave të popullit.

Postimi i plotë

Me këtë mesazh drejtuesit e institucioneve kryesore të Kosovës, presidentja Atifeta Jahjaga, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa në vazhdimësi bëjnë thirrje kohëve të fundit për konsensus edhe për tema që janë kundër interesave të popullit.

Po kërkojnë pajtueshmëri për siç po thonë, miratimin e një amendamenti kushtetues (për të mundësuar themelimin e Gjykatës Speciale), i cili në vetvete nuk është thjesht një amendament që do ta bënte Kushtetutën më të mirë apo do ta plotësonte atë me diçka që deri më tani nuk e ka pasur.

Përkundrazi po kërkojnë pajtueshmëri sepse ata shumë mirë e dinë se ajo çfarë ata janë duke përgatitur është gjymtim i sovranitetit të vendit.

Ata e dinë mirë se për një gjë të tillë nuk kanë mandat nga populli, i cili ua ka dhënë votën për ta mbrojtur sovranitetin e vendit. Prandaj po kërkojnë që të gjithë të marrin pjesë në këtë krim që po i përgatitet vendit. Nuk po e kërkojnë këtë konsensus se u dogjën për unitetin e spektrit politik.

Jo, po e kërkojnë sepse kur në të ardhmen të dëshmohet se ky ishte vendimi më kriminal që i është bërë Kosovës që nga shpallja e pavarësisë ata të mund të thonë: Epo vërtetë doli të jetë vendim tejet i gabuar, por të gjithë kemi faj, sepse për këtë kemi pasur konsensus pra pajtueshmëri të plotë. Andaj, që të mos vijë ajo kohë kur ju do të thoni: Po vërtetë doli të jetë vendim shumë i gabuar, po ju thërrasim sot, ejani të ndërtojmë konsensusin aq shumë të kërkuar nga ju. Por jo, për ta gjymtuar sovranitetin e vendit por për të mbrojtur atë.

I juaji,
Bajram Hasani