Haradinaj zotohet se me ndryshimet për Demarkacionin, Kosova së shpejti drejt vizave

E publikuar: 14/09/2017 16:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është zotuar se me ndryshimet në komisionin për çështjen e demarkacionit, procesi rreth vizave do të lëvizë shpejt dhe do të jetë plotësisht transparent.

Kryeministri Haradinaj, theksoi se Kosova do të përmbushë obligimet e saj bazuar në marrëdhënien kontraktuale me BE-në dhe theksoi rëndësinë që ka për qytetarët e vendit lëvizja e lirë dhe pa viza.

Këto deklarata Haradinaj këto komente në takimin që pati sot me Angelina Eichhorst, Zëvendës Drejtoreshë Menaxhuese për Europë dhe Azinë Qendrore dhe Drejtoreshë për Europën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Europian, me të cilën bisedoi për agjendën europiane të Kosovës dhe zbatimin e reformave në vend.

Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës është e angazhuar në përshpejtimin e zbatimit të Agjendës së Reformave Europiane dhe operacionalizimin e veprimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, që do të mundësojë përafrimin e vendit me BE-në.

Kryeministri theksoi se Kosova është e angazhuar në ruajtjen dhe kultivimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe njëkohësisht ka treguar gatishmërinë për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si alternativë të vetme, por të ristrukturuar dhe të afatizuar në kohë si dhe me përmbushje të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Drejtoresha Eichhorst, theksoi se Kosova dhe Ballkani Perëndimor, në përgjithësi, kanë perspektivë europiane dhe të gjitha vendet e rajonit duhet që fillimisht të bëjnë më shumë në zbatimin e kritereve për anëtarësim.

Ajo tha se Kosova duhet të angazhohet në përmbushjen e obligimeve të saj që do ta hapte rrugën e integrimeve dhe veçanërisht procesin e liberalizimit të vizave.