Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka falënderuar Zotin që Kosovës ia ka falur familjen Jashari, raporton “Zeri.info”.
Ai ka marrë pjesë në pjesën e dytë të manifestimit “Nata e Zjarreve”, e cila ka përmbyllur manifestimi tradicional “Epopeja e UÇK-së”, që i kushtohet sakrificës dhe veprës sublime të komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari dhe të familjes Jashari, për lirinë e vendit, për shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës, në 20 vjetorin e rënies së ikonës së luftës së UÇK-së, të 20 anëtarëve të familjes së tij dhe të 36 Jasharëve të tjerë, në luftën e lavdishme të 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998, transmeton Zeri.info.
Gjatë tri ditë të manifestimit, mijëra qytetarë nga anë të ndryshme të Kosovës, si dhe qytetarët nga të gjitha trojet etnike dhe nga Diaspora, kanë nderuar figurën emblematike të lirisë së Kosovës, komandantin legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe gjithë dëshmorët dhe të rënët për liri.
Komandanti legjendar dhe familja e madhe Jashari, janë cilësuar si pjesë përbërëse e identitetit tonë kombëtar, simbol i bashkimit të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, ata që bënë kthesën në historinë e popullit shqiptar të Kosovës.
Manifestimi kryesor “Nata e Zjarreve”, respektivisht ndezja e zjarreve në Prekaz është zhvilluar sipas skenarit që është realizuar që prej përfundimit të luftës, pa snjë ndryshim.
Flakadanë të lirisë, të cilët simbolizojnë shpërthimin e zjarrit të luftës dhe përhapjen e zjarri të luftës në të gjitha viset e vendit, e që mbanin në duar pjesëtarë të UÇK-së, që vinin nga bunkeri, nga i cili komandanti Adem Jashari vezhgonte lëvizjet e policisë serbe dhe vezhgonte lagjen, si dhe djem dhe vajza me veshje kombëtare, që bënë nderime te kulla e Jasharëve, janë bashkuar tok te varri i komandanti legjendar, Adem Jashari, e që për simbolikë ka bashkimin e popullit.
Të gjitha ata bashkë kanë nderuar te varri i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe kanë mbajtur një minutë nderim, shkruan tutje Zëri.
Në pjesën tjetër të manifestimit kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli.
Kryeministri Haradinaj, i entuziasmuar me atmosferën që kishin krijuar qytetarët e shumtë nga e gjithë Kosova, tha se derisa po vinte në manifestim, Rifati i kishte thënë se “s’ka pasuri më të madhe se sa populli që din ta çmojë lirinë’’.
“Eshtë diçka e rrallë në krejt popujt e botës, se kemi në mesin tonë, mos të harrojmë me i pa të gjitha dimensionet e asaj që kemi në mesin tonë. Shihe sa interesant, edhe sot, i kemi Ademin, Hamzën, Shabanin e ri, e kemi Bekimin, Bashkimin, e kemi Lulin (Lulzimin), Muratin, e kemi brezin e djemve tonë, por edhe kemi edhe Rifatin që na prin. Zoti është i madh që na ka falë këtë familje që e kemi sot në mesin tonë. Është e drejta e Zotit, sepse po këta tre breza u flijuan për liri, po këta tre breza sot janë dëshmitarë të asaj që liria jonë ishte e shtrenjt, shyqyr që sot bashkohemi këtu me i kujtu ata që kanë ra për liri, komandantin legjendar Adem Jashari, familjen Jashari, të gjithë të rënët për liri, edhe njëkohësisht me dijtë se jemi në tokën tonë, në atdheun tonë, e duhet ta mbrojmë lirinë tonë”, tha Haradinaj./Zëri/














