Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) së shpejti do ta ketë shefin e saj të ri. Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka thënë se është duke punuar intensivisht me Presidentin Thaçi që shefi i AKI-së të emërohet brenda afatit ligjor.
Haradinaj ka thënë për Indeksonline se emri i drejtorit të AKI-së shumë shpejtë do të bëhet i ditur pwr opinionin.
“Gati është por akoma s’kemi vendos, shpejt besoj se vendoset. Për besë nuk kemi emra jemi ende në konsulta e diskutime”, ka thënë Haradinaj për Indeksonline.
Sipas kreut të ekzekutivit, vendimin final për shef të AKI-së e jep Presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Ndërkohë sipas Nenit 5 të Ligjit të Kosovës, Presidenti i Kosovës bashkë me kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI-së brenda njëzet ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.
Më datën 30 mars, Haradinaj kishte kërkuar dorëheqjen e Drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi.
E gjithë kjo erdhi pas arrestimit të gjashtë gulenistëve dhe depërtimit të tyre në Turqi.
Përpos kësaj, kryeministri për këtë rast ka kërkuar edhe dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, postin e të cilit tashmë e mban, Bejtush Gashi i AKR-së./Indeksonline/