Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur për votimin e tërheqjes së Trustit që është në rend dite nesër në Kuvendin e Kosovës.
Haradinaj tha se Trusti s’është zgjidhje e duhur, por është zgjidhje e zorit, e në rast se dikush thotë që është zgjidhje e duhur kjo, sipas Haradinajt, është gabim.
“Thënë të drejtën, një qeveri e mençur, nëse bëhet kjo për shkak të një krize, ish dashur t’i quaj huazim, me ua kompensu ato mjete”, është shprehur Haradinaj.
Tutje, ai bëri të ditur se herën e fundit kur Qeveria e Kosovës pati lejuar tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti, Haradinaj tha se kishte tërhequr rreth 5 mijë euro.
“Unë i kam tërhequr herën e fundit dhe ia kom dhuruar SOS-it. Kanë qenë rreth 5 mijë euro. Sa kam qenë unë në Hagë edhe unë i kam pasur fëmijët atje. Anita ka qenë e vetme dhe është dashur të vijë në vizitë e vetme dhe në shenjë mirënjohje ua kam dhuruar ato para”, është shprehur Haradinaj, njofton Klankosova.tv.