Haradinaj do të duhej të ishte në SHBA, por u ndal në një dasëm në Rahovec

E publikuar: 08/01/2018 23:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në vend të Iowas, ku duhej të ishte të dielën mbrëma, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qenë në Rahovec, në një dasmë.

I pari i ekzekutivit nuk po arrin të pajiset dot me vizë amerikane. KTV-ja raportoi të dielën se Haradinaj duhej të ishte në Iowa nga e diela për një ngjarje, e më pas planifikonte takime në Washington.

Por, refuzimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për ta takuar ka bërë që ai të mos e marrë vizën ende.

Një zëdhënës i Gardës Kombëtare të Iowas, ka konfirmuar për Evropën e Lirë, se Haradinaj e ka anuluar vizitën për shkak se nuk është pajisur me vizë.

“Është për keqardhje që ai nuk ka mundur ta marrë vizën dhe të jetë së bashku me ne. Shpjegimi ka qenë se vizita nuk do të ndodhë tash në këtë kohë dhe nuk kemi marrë më shumë informata shtesë”, ka thënë kolonel Greg Hapgood, zëdhënës i gardës së Iowas.

Por, Qeveria e Kosovës vazhdon të mohojë se është në pyetje refuzimi i vizës.

“Nuk ka asnjë refuzim. Ka pas një vonesë në procedura të përgatitjes kur bëhet fjalë për Iowa. Por, tani gjithçka është ende në procedurë të pritjes”, ka thënë për KTV-në zëdhënësi i Qeverisë, Arbër Vllahiu.

Nuk është e qartë nëse pritja do të ndodhë tani për Lutjet e Mëngjesit, ku edhe pse ka vizë ende nuk e ka të qartë nëse do të shkojë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Por, në SHBA në fillim të shkurtit do të jenë tre deputetë të tjerë të Kuvendit – Blerta Deliu e PDK-së, Armend Zemaj i LDK-së dhe Slobodan Petroviq nga minoriteti serb.

SHBA-ja ka reaguar ashpër për iniciativën e deputetëve të koalicionit PAN për shfuqizimin e Speciales, dhe është shprehur kundër vonesave të mëtutjeshme për miratimin e demarkacionit me Malin e Zi.