Ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, vlerëson se sulmet e grupeve kriminale ndaj Eulex-it dhe Policisë së Kosovës në veri, “janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”.
Teksa ka reaguar për zhvillimet e fundit në veri të vendit, Haradinaj thotë se “është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë”.
Ai thekson se “luftërat në Ballkan janë kapitull i mbyllur”.
Reagimi i tij i plotë:
Sulmet e grupeve kriminale ndaj Eulex-it dhe Policisë së Kosovës në veri, janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë.
Sot, është momenti i fundit që regjimi në Beograd t’i thërrasë arsyes dhe ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe këtë ta pranojë edhe në tavolinën e bisedimeve!
Luftërat në Ballkan janë kapitull i mbyllur!