Shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homologun e saj gjerman Heiko Maas në lidhje me gjendjen e vështirë me COVID-19, zhvillimet politike në vend dhe pritjet e mëdha në Presidencën gjermane të BE-së rreth përmbylljes së agjendës së liberalizimit të vizave.
Ministrja Haradinaj – Stublla tha se në kohëra të vështira, përkrahja gjermane ishte vendimtare për përpjekjet e paqes dhe shtet-ndërtimit në Kosovë, dhe se sot Gjermania vazhdon të jetë përkrahësja më e madhe e Kosovës euroatlantike, e sigurisë dhe stabilitetit të saj.
“Marrëdhënia bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë është strategjike dhe e veçantë. Kësaj marrëdhënieje strategjike i shtohet vlera me diasporën tonë në Gjermani, të cilët janë kontribuues të mëdhenj të miqësisë sonë historike, politike e ekonomike”, tha kryediplomatja e Kosovës.
“E falënderova ministrin Maas për qëndrimin parimor që ka mbajtur Gjermania në favor të ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës, dhe shpreha besimin se dialogu me Serbinë do të zhvillohet duke respektuar këtë parim”, ka shtuar ministrja Haradinaj – Stublla. /kp/