​Haradinaj: S’po kërkojmë marrëveshje politike, vetëm një kandidaturë unifikuese

E publikuar: 22/08/2025 11:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se do të kërkojnë një konsultë me shefat e grupeve parlamentare dhe kryesuesin e seancës konstituive, për të diskutuar rreth kandidaturës për kryeparlamentar.

Haradinaj tha se duhet të propozohet një kandidaturë unifikuese, derisa siguroi që kanë votë për disa persona të caktuar. Siç tha Haradinaj, AAK-ja nuk po kërkon as kandidaturë, as marrëveshje politike e as pazar, por vetëm propozimin e një kandidati unifikues.

“Sot do të kërkojmë një konsultë përpara seancës me shefat e grupeve dhe kryesuesin nëse ka gatishmëri edhe në nivel të kryetarëve të partive, që të diskutojmë për kandidaturat. Pra, kush mund të jetë një kandidaturë unifikuese…Ne e kemi përdorur këtë formulë edhe njëherë sikurse e dini, por Kurti nuk na erdhi në kuvend, qëndroi në sallë. Ka logjikë, pa marrë parasysh se çfarë qëndrimesh kush ka. Ne nuk mund ta detyrojmë VV-në kë ta propozojë, por është mirë të diskutojmë kush mund të jenë kandidaturat unifikuese”, tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti po e zvarrit me qëllim këtë periudhën 30-ditëshe, duke vepruar si ushtrues detyre, vetëm që të qëndrojë në pushtet sa më gjatë. Sipas tij, Kurti e di që nuk i ka më votat për ta fituar sërish pushtetin.

“Unë iu siguroj që kemi shumë emra që i kishim votuar nga VV-ja. Nuk po kërkojmë kandidaturë të Aleancës, nuk po kërkojmë marrëveshje politike. Nuk po kërkojmë ndonjë pazar, vetëm po kërkojmë një kandidat për kryetar kuvendi që na përfaqëson…Unë e shoh se Kurti po e vazhdon, shpresoj që e ndryshon këtë praktikën për ta shpenzuar këtë 30 ditëshin. Ai e ka ndarë mendjen ta ushtrojë pushtetin si ushtrues detyre sa më gjatë që mundet sepse po e sheh që nuk e ka votën për të rifituar pushtetin”, potencoi Haradinaj.

Pas 3 javësh, të mërkurën deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në seancën e 20 gushtit, ashtu siç e kërkoi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për bllokadën politike, votimi për kryekuvendarin u bë me votim të hapur, ku Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit, por asnjëra nuk mori 61 votat për t’u zgjedhur në këtë pozitë.

Pas këtyre dy dështimeve, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari e ndërpreu seancën e cila do të vazhdojë sot nga ora 11:00.

Gjykata Kushtetuese të hënën e publikoi aktvendimin për ngërçin politik, aktgjykim i cili përcakton një afat 30 ditor për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Sipas po këtij aktgjykimi një kandidat apo kandidate nuk mund të votohet më shumë se tri herë.

Kosova më 9 shkurt të këtij viti mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.