Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të bëjnë regjistrimin e tyre dhe të pronave të tyre në Serbi, deri në fund të këtij muaji.
Përmes një adresimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se çdo ditë po zbrazen shkollat, shtëpitë dhe vendbanimet e shqiptarëve në Luginë, andaj, sipas tij, kjo s’duhet lejuar.
”Të dashur bashkëkombës shqiptarë, në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc dhe në vendbanimet e tjera në Serbi, apo edhe ju që i keni lëshuar vatrat dhe jetoni në vendet e tjera apo në Kosovë. Prej 1 deri më 31 tetor mbahet regjistrimi i njerëzve dhe i pronave në Serbi. Ju bëj thirrje të gjithëve regjistrohuni! A e dini pse? Çdo ditë e më shumë po zbrazen shkollat, shtëpitë, vendbanimet. Trojet e juaja po mbesin shkret. Mos e lejoni! Ju lutem kthehuni gjithë, regjistrohuni të gjithë! Regjistrohuni edhe për hatër të brezave që vijnë. I juaji çdoherë!”, ka thënë Haradinaj përmes një videoje.