Haradinaj-Ramosajt: Ti je i thirrur për të punuar e jo për t’u marrë vesh për takime

E publikuar: 19/08/2020 20:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj sot ka bërë të ditur se ka nisur takimet me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti lidhur me punimet në rrugën Deçan-Plavë.

Në një postim në Facebook ai ka shkruar se sot ka nisur takimet, fillimisht me kryeministrin Hoti, për të vazhduar deri më 27 gusht, ku siç ka thënë do të mbajnë takim me të gjithë ambasadorët.

“Kam filluar sot takimet, fillimisht me kryeministrin për të vazhduar intensivisht deri me datën 27 gusht, kur do të mbajmë takim me të gjithë ambasadorët!
Jam i bindur që rezultati do jetë zgjidhja e duhur për Deçanin. Bëhet ose do e bëj”, ka shkruar ai.

E deputeti i AAK-së Daut Haradinaj në një koment drejtuar të parit të Deçanit kërkon kryerjen e punimeve, duke ia përkujtuar Ramosajt se ai nuk është i thirrur për t’u marrë vesh për takime, por për të punuar.

“Kryetar, ti je i thirrur për të punuar e jo për takime për t’u marrë vesh për takime. Rruga duhet për ty kryer. Kryetar është në të drejtën tonë dhe të mirën e Manastirit”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, kryeministri Avdullah Hoti priti sot në takim kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ata me këtë rast u pajtuan që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila përshkon një pjesë të zonës së mbrojtur pranë Manastirit të Deçanit.

Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’i përkrahë komunat e vendit për realizimin e projekteve të tyre zhvillimore.

Hoti ritheksoi se duhet të respektohet legjislacioni në fuqi i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, por po ashtu duhet të kihet parasysh edhe rëndësia e kësaj rruge për ekonominë dhe cilësinë e jetës së banorëve të Deçanit.