Haradinaj: Qeveria t’i lë fjalët, t’ia kthejë dinjitetin punëtorëve

E publikuar: 01/05/2022 20:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se 1 maji e gjen Kosovën më të drejta të nëpërkëmbura e të shkelura të punëtorëve.

Ai tha se 1 maji Kosovën e gjen pa Ligj të Pagave, pa rritje të pagave për një vit, pa sigurim shëndetësor e pa shtesa të fëmijëve.

“Dita e punëtorëve, punëtorët kosovarë i gjen në një situatë të rëndë. Qindra mijëra punëtorë të sektorit privat pothuaj se janë lënë pas dore, ndërkohë që edhe sektori publik me këtë shtrenjtimin enorm të jetesës, e ka të vështirë ta lidh fillimin me fundin e muajit”, është shprehur Haradinaj.

Ai i bëri thirrje qeverisë, që sipas tij t’i lërë fjalët e t’ia kthejë dinjitetin punëtorëve.

Postimi i plotë:

Një Maji, është ajo dita kur punëtorët kërkojnë të drejtat e tyre, e kur pushtetet përpiqen të tregojnë sa shumë kanë punuar për ta. Por, Një Maji Kosovën e gjenë me të drejta të nëpërkëmbura e të shkelura të punëtorëve. Pa Ligj të Pagave, pa rritje të pagave për këto një vit e sa, pa sigurim shëndetësor e pa shtesa të fëmijëve e pa shpresë për ditë më të mira.

Dita e punëtorëve, punëtorët kosovarë i gjenë në një situatë të rëndë. Qindra mijëra punëtorë të sektorit privat pothuaj se janë lënë pasdore, ndërkohë që edhe sektori publik me këtë shtrenjtimin enorm të jetesës, e ka të vështirë ta lidh fillimin me fundin e muajit!

Qeveria duhet t’i lërë fjalët e t’iu kthejë dinjitetin punëtorëve!

Urimi im për të gjithë punëtorët e Republikës së Kosovës në këtë 1 Maj është, Paçit ditë më të mira!