”Prishtina është imazhi ynë në botë. Këtë imazh duhet të kujdesemi që ta fuqizojmë”
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot zhvilloi një takim me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin.
Haradinaj është shprehur se me të parin e Prishtinës, Shpend Ahmetin zhvilluan një takim pune, që t’i bashkërendojnë veprimet për një kryeqytet model.
Haradinaj përmes një postimi është shprehur se Qeveria e Kosovës do të jetë afër dhe krah i Komunës së Prishtinës në secilin aspekt të jetës, si në realizimin e Ligjit për kryeqytetin, Pallatin e Rinisë, Sallën e Operës, unazën e qytetit dhe në shumë projekte tjera madhore.
”Prishtina është imazhi ynë në botë. Këtë imazh duhet të kujdesemi që bashkërisht ta fuqizojmë duke e shndërruar në emërkuptim që na bën krenarë të gjithëve”, ka shkruar Haradinaj.
Ndërsa, Shpend Ahmeti pas takimit tha se kjo është hera e parë që një kryeministër viziton komunën e Prishtinës. “Diskutuam dhe për disa projekte madhore, unaza e qytetit të Prishtinës. U dakorduam të shohim mundësinë e financimin e këtij projekti. Të punojmë rreth realizimin e një projekti të përbashkët për sallën koncertale në komunën e Prishtinën. Mundësitë e bashkëpunimit janë të shumta”, tha ai./21Media

















