Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se zotimi i Qeverisë Kurti për ndarjen e 100 eurove, nuk e zgjidh problemin e qytetarëve të Kosovës, raporton Ekonomia Online.Në një konferencë për medie, Haradinaj ka thënë se kjo shumë është shumë e vogël krahasuar me dështimin e rritjes së ekonomisë dhe të Ligjit të Pagave.
“Qeveria e Kosovës duhet të veproj si qeveri e shtetit se qytetarët kanë nevojë edhe për një euro. Nuk zgjidhet asnjë problem me masa që zgjasin vetëm një muaj. Është e vogël kjo shumë që ai ta shfryjë dështimin e tij për rritjen e ekonomisë dhe për rritjen e pagave.
Të punësuarit në Kosovë kane nevojë për paga të përhershme. Qeveria duhet t’i rris pagat për të gjitha kategoritë dhe ne propozojmë që paga minimale të jetë neto 370 euro”, tha Haradinaj.Krahas kërkesës për rritje të pagave, Haradinaj ka kërkuar që të largohet TVSH-ja për artikujt ushqimor dhe largimin e taksës për pagën nën 370 euro.
“Qeveria duhet pa vonesë me zbrit TVSH-në për artikujt ushqimor si dhe ta heq taksën për pagën nën 370 euro. Duhet të kaloj Ligji për tërheqjen e trustit dhe menjëherë duhet me ua kthy parët e qytetarëve për faturat e fryra të energjisë. Qeveria e Kosovës po vepron në sistemin lëmoshë. Kërkesa jonë është ligji i pagave, rritja e pagave 33% dhe po ashtu rritja e pagës minimale neto 370 euro”, tha Haradinaj.



















