Haradinaj: Qeveria do të mbahet përgjegjëse për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në vend

E publikuar: 10/08/2023 13:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar pas vrasjeve që tronditën Kosovën në ditët e fundit.

Ai tha se vendi është duke u përballur me sfida të shumta të sigurisë, duke përmendur veriun, vrasjet, lëndimet e rënda trupore, armët pa leje e prezencën e narkotikëve.

Ai ka shkruar se siguria publike është duke u sfiduar nga banda të armatosura të cilat nuk zgjedhin as cak e as vend për të terrorizuar qytetarët.

“Fatkeqësisht siguria publike ne vend, tashmë është duke u sfiduar nga banda të armatosura të cilat nuk zgjedhin as cak e as vend për të terrorizuar qytetarët. Vrasjet e ditëve të fundit, përfshirë edhe vrasjen e një shtetasi të huaj, janë treguesi më i mirë për pasigurinë dhe kërcënimin që  ju kanoset qytetarëve si në rrugë, ashtu dhe në ambiente publike, lokale hoteliere e gjetiu”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se “mungesa e vizionit dhe përkushtimit të Qeverisë dhe MPB-së ngrit dyshime se niveli i lartë i cenimit të sigurisë publike dhe neglizhenca institucionale për të parandaluar këto lloje të krimeve nga të cilat çdo ditë është duke u tronditur vendi, ka për qëllim zhvendosjen e vëmendjes së opinionit nga skandalet dhe aferat e shumta korruptive të qeverisë, ku së fundmi u mësua edhe për planifikim të kontrabandës ndërkombëtare me armë nga ana e sekserëve të afërt me qeverinë”.

Haradinaj ka shkruar se qytetari ka mbetur i pa mbrojtur, i pa përkujdesur nga kjo qeveri e cila ka mungesë të madhe profesionale për të trajtuar çështje komplekse siç është siguria

Në fund ai ka thënë se kjo Qeveri do të mbahet përgjegjëse për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në vend.