Haradinaj: Punëtoret e Bashkësisë Islame të janë zyrtarë publikë dhe të paguhen nga buxheti i shtetit

E publikuar: 26/09/2015 16:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qëndruar të shtunën gjatë ditës në qytetin e Mitrovicës.

Haradinaj me bashkëpunëtorë, ka vizituar Këshillin e Bashkësisë Islame të këtij qyteti ku është pritur nga Hoxhë Rexhep Lushta, dhe me këtë rast uruan edhe njëri-tjetrin për festën e Kurban Bajramit.

Haradinaj ripërsëriti angazhimin e tij që për Bashkësinë Islame, por edhe bashkësitë e tjera fetare në Kosovë, duhet të ketë program të veçantë financimi.

“Punëtoret e Bashkësisë Islame të janë zyrtarë publikë dhe të paguhen nga buxheti i shtetit, institucionet fetare të lirohen nga pagesa e rrymës dhe të kenë lehtësime tjera. Feja duhet të kontribuoj për kultivimin e vlerave dhe për një bashkëjetesë në paqe dhe respekt për njëri-tjetrin”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj, raporton Koha.net.

I kënaqur me vizitën u shpreh edhe kryetari i BI të Mitrovicës duke theksuar nevojën imediate që të aplikohet ligji për liritë fetare i cili tash e 16 vite po neglizhohet.

Po sot, Haradinaj vizitoi edhe Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës.

Ai u ka thënë pensionistëve se do t’i përkrahë për të gjitha kërkesat legjitime të tyre duke u dhënë mbështetje edhe në Parlamentin e Kosovës.

Haradinaj vazhdoi vizitën edhe tek organizatat e dala nga lufta dhe disa biznese në këtë qytet.

Në fund të vizitës, Haradinaj qëndroi në Stantërg, ku u themelua nëndega e AAK-së në këtë vendbanim.

Haradinaj banorëve të Stantërgut ju tha se është e patolerueshme se si jetohet mbi pasuri të pashtershme e njëkohësisht të ketë kaq shumë probleme me punësimin dhe kushte të rënda të jetesës.

Kryetari i porsazgjedhur i nëndegës, Ali Zeqiri, ka falënderuar Haradinajn për prezencën e tij dhe theksoi se kultivimi i vlerave që ka Aleanca do të jetë motiv shtesë për fuqizimin e kësaj nëndege.