Zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e President të vendit, është parë nga shumë kush si humbje e betejës së Opozitës ndaj kërkesave të tyre, pasi nuk arritën ta pengojnë këtë proces. Por, i këtij mendimi nuk është edhe analisti Nexhmedin Spahiu. Ai shprehet se rrëzimi i Qeverisë do të ndodhë gjithsesi, pasi për këtë do të jetë i interesuar dhe vet Hashim Thaçi, raporton lajmi.net.
Në ditën e zgjedhjes së Thaçit president më 18 shkurt, Opozita përveç pengimit në Kuvend, organizoi protesta edhe në rrugë për ta penguar Hashim Thaçin të zgjedhet president, por pa sukses, pasi ai me 71 vota në raundit e tretë u zgjodh në postin e të parit në vend.
Po atë ditë, Policia e Kosovës, pas përleshjeve me protestuesit kishe larguar edhe tendat e vendosura nga partitë opozitare në sheshin “Ibrahim Rugova”, si formë e re e protestës së tyre për ta rrëzuar Qeverinë.
Por siç vlerëson analisti Spahiu, rrëzimi i Qeverisë, pas zgjedhje së Thaçit president do të jetë edhe më i lehtë.
Ai për lajmi.net thotë se tash as Thaçi nuk do të jetë i interesuar që ta mbajë Isa Mustafën si kryeministër, pasi dëshiron ta legjitimojë veten si president edhe para Opozitës.
“Qeveria do të rrëzohet gjithsesi dhe për këtë do të jetë i interesuar edhe vet Thaçi, mirëpo mendoj se për ta rrëzuar Qeverinë, Opozita tashmë e kah më lehtë, por për ta rrëzuar Presidentin shumë ma vështirë”.
“Thaçi tani nuk do të jetë i interesuar për ta mbajtur Mustafën kryeministër do të jetë i interesuar për ta legjitimuar veten si President edhe para Opozitës dhe, për ta arritur këtë, natyrisht do të ti fusë në lojë Opozitën dhe ti përçajë, e natyrisht që nëse Opozita e merr pushtetin duhet ta njohë Thaçin president, për arse se kryeministri duhet dominuar nga Presidenti”, shprehet ai, për lajmi.net.
Spahiu është shprehur se Hashim Thaçi do të jetë një President i fuqishëm por jo unifikues, për shkak të begradnit të tij.
Sipas tij, i tillë ka qenë edhe Ibrahim Rugova, por që ai për dallim nga Thaçi ka pasur mbështetjen e shumicës së qytetarëve, ndërsa Thaçi ka pasur shumicën deputetëve.
Spahiu thotë se Thaçi do të jetë një president sikur se Sali Berisha në Shqipëri.
/lajmi.net/



















