Haradinaj: Policia e Kosovës ka presionin politik nga Kurti

E publikuar: 05/09/2024 12:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Policia e Kosovës e ka presionin politik të kryeministrit Albin Kurtit, duke thënë se ai po e instrumentalizon këtë institucion “për interesa elektorale sa është në Qeveri”.

Në prag të përvjetorit të themelimit së Policisë së Kosovës, Haradinaj ka shkruar në Facebook se Kurti mund të mbajë fjalim prekës, por sipas tij, Kurti fjalët i ka vetëm mashtrim.

“Policia sot nuk e ka kujdesin e Qeverisë, por e ka presionin politik mbi të! Kurti edhe i sulmoi me gurë sa ishte në opozitë, edhe po e instrumentalizon Policinë për interesa elektorale sa është në Qeveri. Ai nesër në 25-vjetorin e Policisë mund t’ju mbajë një fjalim prekës, por prapa fjalëve vetëm mashtrimin ka qëllim. Për pak javë kjo do të përfundojë. Policia është e Kosovës. Qëndroni të tillë. Mos u bëni instrument në duar të pasigurta!”, ka shkruar kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Haradinaj ka premtuar se nëse vjen në pushtet, paga minimale brenda Policisë do të jetë 1.000 euro si dhe zyrtarët policorë do të kenë sigurimin shëndetësor.

“Kur më 6 shtator 1999 u themelua Policia jonë, filloi shtet-ndërtimi në fushën e sigurisë. Nesër bëhen 25 vjet. E uroj Policinë në 25-vjetorin e themelimit! Do të kujtojmë përgjithmonë policët e rënë në detyrë. Kemi shumë punë për ta forcuar dinjitetin, kushtet dhe pajisjet e Policisë sonë. Prioritet do të jetë paga minimale prej 1.000 euro brenda Policisë dhe sigurimi shëndetësor. Modernizimi i pajisjeve të Policisë do të bëhet gjithashtu”, ka thënë ai.